Shqipëria

Kuadri i ligjeve dhe politikave në Shqipëri ka disa aspekte pozitive dhe disa boshllëqe të dukshme. Nga pikëpamja pozitive, Shqipëria është shtet palë në tre nga katër konventat themelore të pashtetësisë, pa rezervë, si dhe në të gjitha instrumentet e tjera përkatëse ndërkombëtare. Disa të dhëna lidhur me popullsinë pa shtetësi dhe në rrezik pashtetësie janë të disponueshme nga procesi i regjistrimit dhe një studim më i fundit i hartëzimit, por nuk ka asnjë kategori 'pa shtetësi' në të dhënat e azilit dhe imigracionit, përfshirë këtu dhe ato që lidhen me ndalimin.

Në ligjin shqiptar ka një përkufizim mbi personin pa shtetësi, por ky është më i ngushtë se përkufizimi i Konventës së vitit 1954. Nuk ka procedurë të përcaktimit të pashtetësisë, megjithatë disa të drejta u jepen me ligj njerëzve pa shtetësi, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për të aplikuar për vendqëndrim mbi motive humanitare, ndihmë juridike dhe dokumente udhëtimi. Sidoqoftë, aksesi në këto të drejta është i vështirë pasi nevojitet një procedurë zyrtare si edhe kërkohen dokumente identifikimi. Ka një mënyrë më të lehtë për natyralizimin me anë të një kohe të reduktuar qëndrimi (edhe pse kjo është rritur nga pesë në shtatë vjet në vitin 2020) dhe përjashtimeve të bëra në disa prej kërkesave standarde. Disa masa mbrojtëse të kufizuara sigurojnë mbrojtje nga ndalimi arbitrar i personave pa shtetësi por ka edhe pengesa në mjetet juridike efektive dhe ndihmën juridike, gjithashtu njerëzit e liruar nga paraburgimi nuk janë të mbrojtur nga një ndalim që mund të ndodhë sërish.

Me ndryshimet e fundit, ligji tani garanton që fëmijët e lindur pa shtetësi në territorin në fjalë, të miturit e braktisur, fëmijët e adoptuar dhe shumica e fëmijëve të lindur nga shtetasit shqiptarë jashtë vendit marrin shtetësinë shqiptare. Kohët e fundit ka pasur masa për të zvogëluar rrezikun e pashtetësisë dhe përmirësuar aksesin në regjistrimin e lindjeve, megjithatë fëmijët ende përballen me vështirësi nëse prindërit e tyre janë pa dokumente ose kanë parregullsi në dokumentacionin e tyre, dhe komunitetet e Romëve dhe Egjiptianëve preken në mënyrë disproporcionale nga kjo gjë. Në vitin 2020 u shtuan kompetenca të reja në lidhje me heqjen e shtetësisë së shqiptarëve të natyralizuar për motive të sigurisë kombëtare, por ekziston një masë mbrojtëse për të evituar rastet kur kjo rezulton në pashtetësi.

Përditësimi i fundit: 
Mar 2021
Përditësimi i radhës: 
Mar 2022
Ekspert/ë i/të Shtetit: 

Burime shtesë

ÇELËSI I VLERËSIMIT

++POZITIV
+ DISI POZITIV
+-
- DISI NEGATIV
--NEGATIV

INFORMACION SHTESË

-NORMAT DHE PRAKTIKAT E MIRA

 

Instrumentet Ndërkombëtare dhe Rajonale

Vlerëson nëse vendet janë shtet palë në instrumentet ndërkombëtare dhe rajonale përkatëse, mes të tjerash, nëse kushtet kanë ndikim në pashtetësi, dhe nëse instrumentet janë përfshirë në ligjin kombëtar vendas. Katër traktatet themelore për pashtetësinë (Konventa e vitit 1954 në lidhje me Statusin e Personave Pa Shtetësi; Konventa e vitit 1961 për Reduktimin e Pashtetësisë; Konventa Evropiane për Shtetësinë; Konventa e Këshillit të Evropës për Shmangien e Pashtetësisë në lidhje me Suksedimin e Shteteve) kanë më shumë peshë në vlerësim në krahasim me instrumentet e tjera përkatëse të të drejtave të njeriut.

Shqipëria është Shtet palë në tre nga konventat kryesore të pashtetësisë: Konventa e vitit 1954, Konventa e vitit 1961 dhe Konventa Evropiane për Shtetësinë. Ka hyrë pa rezerva në këto traktate dhe të gjitha kanë efekt të drejtpërdrejtë në ligjin vendas. Shqipëria është Shtet palë në pothuajse të gjitha instrumentet e tjera përkatëse ndërkombëtare dhe rajonale, me përjashtim të Konventës së Këshillit të Evropës për Shmangien e Pashtetësisë në lidhje me Suksedimin e Kufijve, ku ajo nuk është shtet palë.

  • Shqipëria është Shtet palë në Konventën e vitit 1954 pa asnjë rezervë dhe kjo ka efekt të drejtpërdrejtë.
  • Shqipëria është Shtet palë në Konventën e vitit 1961 pa asnjë rezervë dhe kjo ka efekt të drejtpërdrejtë.
  • Shqipëria është Shtet palë në pothuajse të gjitha instrumentet e tjera përkatëse ndërkombëtare dhe rajonale, me përjashtim të Konventës së Këshillit të Evropës për Shmangien e Pashtetësisë në lidhje me Suksedimin e Shteteve, ku ajo nuk është shtet palë.

Të Dhënat e Popullsisë për Pashtetësinë

Shqyrton burimet dhe disponueshmërinë e tyre mbi të dhënat e kategorizuara të popullsisë për pashtetësinë. Paraqet shifrat më të fundit dhe vlerëson besueshmërinë e masave që kanë vendosur shtetet për të numëruar personat pa shtetësi, duke përfshirë regjistrimin, regjistrat e popullsisë dhe bazat e të dhënave të emigracionit. Vëren nëse pashtetësia është hartëzuar në shtetin në fjalë dhe nëse ekzistojnë masa efektive për të numëruar personat pa shtetësi që gjenden të paraburgosur.

Janë të disponueshme disa të dhëna për popullsinë pa shtetësi në Shqipëri, megjithatë kjo është disi e kufizuar. Regjistrimi i fundit i popullsisë që u krye në 2011 përfshiu një kategori 'pa shtetësi' për të cilën të dhënat janë të disponueshme sipas kategorisë së gjinisë, por jo sipas statusit të vendbanimit ose dokumentacionit, dhe kjo tanimë është e vjetëruar. Një studim hartëzimi i kryer në vitin 2018 nga UNHCR dhe Shoqata e Ndihmës Ligjore në Tiranë ka identifikuar fëmijë dhe të rritur që rrezikojnë të jenë me pashtetësi në Shqipëri, dhe autoritetet e regjistrimit të gjendjes civile kanë prezantuar një mjet për të përmirësuar identifikimin e njerëzve që rrezikohen nga pashtetësia në 2018. Nuk ka një kategori 'pa shtetësi' në të dhënat e azilit dhe imigracionit dhe nuk ka informacion në dispozicion për personat pa shtetësi që mbahen në paraburgimin e imigracionit.

  • Regjistrimi përmban një kategori 'pa shtetësi' që është e klasifikuar sipas gjinisë. Të dhënat bazohen në vetë-identifikimin dhe tashmë janë të vjetruara. Të dhënat e regjistrimit nuk janë të klasifikuara sipas statusit të vendqëndrimit, mbrojtjes ose statusit të dokumentacionit.
  • Në vitin 2011, 7,443 persona pa shtetësi u identifikuan në procesin e regjistrimit (3,874 burra dhe 3,569 gra).
  • Një studim i fundit i hartëzimit që përfshin edhe fëmijët që rrezikohen nga pashtetësia, është kryer nga UNHCR dhe TLAS (2018), i cili identifikoi 1031 persona të rrezikuar nga pashtetësia.
  • Autoritetet e regjistrimit të gjendjes civile kanë prezantuar në 2018 një mjet të ri për të ndihmuar në identifikimin dhe gjurmimin e njerëzve që rrezikohen nga pashtetësia.
  • Nuk ka kategori 'pa shtetësi' në të dhënat e azilit dhe imigracionit, por të dhënat e publikuara përmbajnë kategori që kanë gjasa të mbivendosen me njëra tjetrën, për shembull, Palestina (292 aplikantë në 2018) dhe Siria (2,150 aplikime në 2018).
  • Nuk disponohet asnjë informacion në lidhje me personat që mbahen në paraburgimet e imigracionit - nuk ka një kategori 'pa shtetësi' në të dhënat e paraburgimeve të publikuara nga autoritetet.

Statusi dhe Përcaktimi i Pashtetësisë

Identifikon nëse shtetet kanë një përkufizim mbi personin pa shtetësi në ligjin kombëtar që përputhet me Konventën e vitit 1954, dhe nëse ato kanë një procedurë të posaçme për përcaktimin e pashtetësisë (PPP) që çon në një status të posaçëm pashtetësie. Vlerëson, në rastin kur nuk ekziston një PPP, nëse ka procedura të tjera me të cilat mund të identifikohet pashtetësia ose mënyra të tjera përmes të cilave njerëzit pa shtetësi mund ta bëjnë të rregullt qëndrimin e tyre ose të kenë akses në të drejtat e tyre. Shtetet ndahen në tre grupe për të mundësuar krahasimin midis atyre me një PPP që çon në mbrojtje, atyre me procedura të tjera dhe atyre me një status pashtetësie, por pa mekanizëm të qartë për të pasur mbrojtje. Të drejtat dhe procedurat ekzistuese që u jepen personave pa shtetësi shqyrtohen dhe vlerësohen kundrejt normave ndërkombëtare dhe praktikave të mira.

Në ligjin shqiptar ka një përkufizim mbi personin pa shtetësi, por ky është më i ngushtë se përkufizimi i Konventës së vitit 1954. Ligji nuk parashikon një mekanizëm që përcakton pashtetësinë, por parashikon që disa të drejta t'u jepen mbajtësve të 'statusit pa shtetësi' ‘siç përcaktohen nga autoritetet kompetente ', përfshi të drejtën për të aplikuar për vendqëndrim mbi motive humanitare, shërbime sociale shtetërore, arsimim, ndihmë juridike, përfaqësim para gjykatave dhe një dokument udhëtimi. Sidoqoftë, aksesi në këto të drejta është shumë i vështirë në realitet ngaqë nevojitet një procedurë zyrtare dhe kërkohen dokumente identifikimi. Ekziston një mënyrë më e lehtë për natyralizimin e njerëzve pa shtetësi në Shqipëri, duke përfshirë këtu një kohë të reduktuar qëndrimi dhe përjashtim nga mosha minimale, të ardhurat, pronësia mbi pronën dhe kriteri për të mos qenë të dënuar më parë, si edhe testi i gjuhës.

  • Ka një përkufizim në ligjin kombëtar ku thuhet se një person pa shtetësi, është ‘person i cili nuk është shtetas i asnjë Shteti’. Ky ndryshon nga formulimi në Konventë që e specifikon 'sipas funksionimit të ligjit të tij'.
  • Nuk ka një trajnim formal të posaçëm të organeve qeveritare në lidhje me pashtetësinë.
  • OJQ-ja SHNLT ka dhënë trajnime të rregullta për autoritetet e mbështetur nga donatorët ndërkombëtarë përfshirë ENS, UNHCR, Ambasadën Amerikane.
  • Asnjë trajnim mbi pashtetësinë nuk është zhvilluar ndonjëherë nga Shkolla e Magjistraturës dhe as nga Shkolla e Avokatisë dhe kjo nuk është përfshirë në programet mësimore.
  • Ligji shqiptar nuk parashikon një mekanizëm për të identifikuar ose përcaktuar pashtetësinë, dhe nuk ka ligj mbi pashtetësinë, por ekziston mundësia për të lëshuar një dokument udhëtimi ose një leje qëndrimi për personat që mbajnë 'statusin e pashtetësisë' të cilët janë 'përcaktuar nga autoritetet kompetente'.
  • Disa të drejta të personave pa shtetësi njihen në ligj, për shembull, e drejta për të aplikuar për qëndrim për motive humanitare, shërbime sociale shtetërore, arsimim, ndihmë juridike dhe përfaqësim para gjykatave, por është shumë i vështirë të arrihet aksesi i tyre në realitet pasi ato kërkojnë një procedurë zyrtare dhe dokumente identifikimi.
  • Ligji shqiptar parashikon mundësinë për të lëshuar një dokument udhëtimi ose një leje qëndrimi për personat që mbajnë statusin e pashtetësisë të cilët janë 'përcaktuar nga autoritetet kompetente' por gjithsesi nuk ka mekanizëm të qartë për këtë gjë, dhe aksesi në këto të drejta është shumë i vështirë në realitet pasi ato kërkojnë një procedurë zyrtare dhe dokumente identifikimi.
  • Disa të drejta u njihen në ligj personave pa shtetësi, për shembull, e drejta për të aplikuar për qëndrim për motive humanitare, shërbime sociale shtetërore, arsimim, punë, ndihmë juridike dhe përfaqësim para gjykatave.
  • Vetëm shtetasit shqiptarë mund të votojnë në zgjedhje.

Ndalimi

Analizon ligjin, politikat dhe praktikat në lidhje me ndalimin e imigracionit në përgjithësi, duke u përqendruar në mbrojtjet e vendosura për parandalimin e ndalimit arbitrar të personave pa shtetësi gjatë procedurave të largimit dhe dëbimit. Nën-temat shqyrtojnë fusha të tilla si vendimmarrja për ndalim, nëse alternativat e ndalimit janë të përcaktuara në ligj dhe zbatohen, masat mbrojtëse proceduriale si kufizimet kohore, mbikëqyrja gjyqësore dhe mjetet juridike efektive, si edhe mbrojtja pas lirimit dhe nëse pashtetësia konsiderohet se ka juridikisht lidhje me kthimin dypalësh dhe marrëveshjet e ri-pranimit.

Ka masa mbrojtëse të kufizuara për të parandaluar ndalimin arbitrar të personave pa shtetësi në Shqipëri. Në rastin pozitiv, duhet të identifikohet një vend dëbimi para lëshimit të një urdhri dëbimi dhe vendimi të ndalimit, por megjithatë, pashtetësia nuk identifikohet në mënyrë pro-aktive në vendimet e ndalimit dhe as në vlerësimet e vulnerabilitetit. Nuk ka prova që personat pa shtetësi paraburgosen në mënyrë të shpeshtë, megjithatë duke pasur parasysh mungesën e një procedure në përcaktimin e pashtetësisë, është e mundur që të ketë raste të paraburgimit të personave pa shtetësi. Ligji lejon që të zbatohen masa alternative, por nuk është e domosdoshme të ezaurohen të gjitha alternativat para ndalimit. Ekzistojnë disa masa mbrojtëse të kufizuara proceduriale, por ka pengesa në mjetet juridike efektive dhe pengesa në marrjen e ndihmës juridike. Personave të liruar nga ndalimi nuk u jepet asnjë dokument apo mbrojtje nga ri-ndalimi.

  • Kompetencat për ndalim janë parashikuar në ligj dhe janë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  • Duhet të identifikohet një vend dëbimi para lëshimit të një urdhri dëbimi dhe si rrjedhojë, të zbatohen masat e ndalimit.
  • Pashtetësia nuk identifikohet në vendimet e ndalimit, nuk ka procedurë në përcaktimin e pashtetësisë dhe autoritetet mbështeten në dokumentacionin që mban individi.
  • Nuk ka prova që personat pa shtetësi paraburgosen, megjithatë duke pasur parasysh mungesën e një procedure dhe rëndësisë që i jepet në lidhje me përcaktimin e pashtetësisë, është e mundur që në realitet të ketë raste të paraburgimit të njerëzve pa shtetësi.
  • Ligji nuk përcakton në mënyrë të qartë se ndalimi duhet të përdoret vetëm si një mundësi e fundit dhe praktika është e paqartë, megjithëse ligji lejon që masat alternative të vendosen pas lëshimit të një urdhri dëbimi.
  • Vulnerabiliteti duhet të merret parasysh në vendimin e ndalimit, por pashtetësia nuk konsiderohet qartë si një faktor që rrit vulnerabilitetin dhe nuk ka asnjë dispozitë ligjore se si duhet të kryhet një vlerësim i vulnerabilitetit.
  • Ligji lejon vendosjen e masave alternative pas lëshimit të një urdhri dëbimi, por praktika është e paqartë dhe nuk ka një kërkesë të qartë ligjore që të ezaurohen të gjitha alternativat para se të zbatohet ndalimi.
  • Ligji përcakton një afat kohor (gjashtë muaj), i cili mund të zgjatet deri në gjashtë muaj të tjerë nëse dëbimi ka qenë i pamundur për shkak të refuzimit të individit për të dhënë informacion; për shkak të individit që pengon ose bllokon kthimin; ose ndonjë vonese të justifikuar në lëshimin e një dokumenti udhëtimi nga një Shtet tjetër. Detyrimi për të siguruar dëshmi të identitetit dhe pamundësia për ta bërë këtë gjë praktikisht i përket aplikantit, kështu që periudhat e ndalimit shpesh zgjaten përtej gjashtë muajve.
  • Ligji shpreh se të paraburgosurit duhet të njoftohen me shkrim në një gjuhë që ata e kuptojnë (ose të paktën në anglisht) për arsyet e lëshimit të urdhrit të dëbimit dhe masave që duhet të merren për zbatimin e urdhrit.
  • Ligji thotë se të paraburgosurit duhet të informohen në një gjuhë që ata e kuptojnë (ose të paktën në anglisht) për të drejtat dhe detyrimet. Ata kanë të drejtën e trajtimit njerëzor, ushqimit të përshtatshëm, ndihmës juridike, kujdesit shëndetësor, përfaqësimit konsullor dhe apelimit. Megjithatë, Shqipëria ka marrë rekomandime nga Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe Avokati i Popullit në lidhje me dhënien e informacionit të papërshtatshëm për të paraburgosurit.
  • Nuk ka rivlerësime periodike ex officio të ndalimit para një organi të pavarur.
  • Të paraburgosurit mund të apelojnë në çdo moment urdhrin e ndalimit përpara gjykatave, por pengesat praktike në lidhje me këtë janë theksuar nga Avokati i Popullit (përfshi mungesën e aksesit në ndihmë juridike, informacion dhe të drejtat në ndalim).
  • Nuk ka rregulla të caktuara në administrimin e procesit të ri-dokumentimit dhe saktësimin e të drejtës së ligjshme për shtetësi.
  • Nuk ka akses në ndihmë juridike për personat që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në territorin e Shqipërisë. Njerëzit pa shtetësi kanë akses në ndihmë juridike sipas ligjit, por në realitet, përderisa nuk ka asnjë PPP që përcakton se kush është person pa shtetësi, atëherë ekzistojnë edhe pengesa për të gëzuar këtë të drejtë.
  • Nuk ka mbrojtje nga ri-ndalimi dhe personave nuk u jepet dokumentacioni ose statusi i qëndrimit pas lirimit.
  • Nuk ka dispozitë që parashikon kohën kumulative që kalohet gjatë ndalimit të llogaritur në raport me kufirin kohor maksimal.
  • Pashtetësia nuk merret parasysh në marrëveshjet e kthimit ose ripranimit dhe nuk disponohet informacion nëse personat pa shtetësi kanë qenë subjekte të marrëveshjeve të tilla.

Parandalimi dhe Reduktimi

Vlerëson përshtatshmërinë e masave mbrojtëse në ligjet e shtetësisë për të parandaluar dhe reduktuar pashtetësinë, përfshi mbrojtjen për fëmijët pa shtetësi të lindur në territorin në fjalë ose për shtetasit jashtë vendit, të miturit e braktisur dhe fëmijët e birësuar. Shqyrton ligjin, politikat dhe praktikat në regjistrimin e lindjeve, përfshirë aksesin në regjistrimin e vonuar të lindjeve, masat e reduktimit që merren nga shtetet për të parandaluar pashtetësinë midis grupeve me rrezik të lartë dhe dispozitat në lidhje me heqjen e shtetësisë.

Në ndryshimet e ligjit të shtetësisë shqiptare në vitin 2020 u përfshi edhe mbrojtja për fëmijët pa shtetësi të lindur në territorin në fjalë, duke plotësuar mbrojtjen ekzistuese për të miturit e braktisur. Masa e re mbrojtëse është automatike, por mbetet të shihet se si do të zbatohet në praktikë. Masat mbrojtëse janë gjithashtu të vendosura për të parandaluar pashtetësinë që lind gjatë procedurave të birësimit. Fëmijët e lindur nga shtetas shqiptarë jashtë vendit marrin shtetësi, por është e paqartë se çfarë të drejtash do të kishin prindërit e së njëjtës gjini për t’i dhënë shtetësinë një fëmije. Shqipëria është zotuar të adresojë boshllëqet e mbetura në kuadrin ligjor dhe ka ndërmarrë hapat e fundit për të parandaluar dhe zvogëluar rrezikun e pashtetësisë. Sidoqoftë, fëmijët mund të përballen ende me rrezikun e pashtetësisë nëse prindërit nuk disponojnë dokumente ose kanë parregullsi në dokumentacionin e tyre, veçanërisht nëse kanë lindur jashtë vendit. Ka prova se komunitetet rome dhe egjiptiane janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga ky rrezik. Ndryshimet e vitit 2020 në ligjin e shtetësisë përfshinë gjithashtu kompetenca të reja për të privuar shqiptarët e natyralizuar nga shtetësia e tyre për motive të sigurisë kombëtare (jo në ato raste kur do të çonte në pashtetësi) dhe hoqën një mbrojtje shtesë për të evituar pashtetësinë që lind nga heqja dorë e shtetësisë.

  • Personat pa shtetësi mund të natyralizohen pas shtatë vitesh qëndrimi të ligjshëm në Shqipëri dhe janë të përjashtuar nga disa kërkesa të nevojshme për natyralizim, të tilla si mosha minimale, të ardhurat, pronësia mbi pronën, domosdoshmëria për mos të qenë i dënuar dhe testi i gjuhës.
  • Nuk ka ndonjë përcaktim ligjor për një tarifë, por aplikantët paguajnë afërsisht një tarifë 50 EURO dhe personat pa shtetësi nuk përjashtohen nga kjo.
  • Ligji i shtetësisë shqiptare u ndryshua në vitin 2020 për të përfshirë një masë mbrojtëse që u mundëson fëmijëve të lindur në territorin në fjalë 'të cilët mund të mbeten pa shtetësi' që të marrin shtetësinë shqiptare.
  • Dispozita bëhet automatike pasi të vërtetohet nga certifikata e njoftimit të lindjes gjatë regjistrimit se fëmija ka lindur në territorin në fjalë dhe 'mund të mbetet pa shtetësi'. Ende nuk është e qartë se si dispozita do të zbatohet në praktikë dhe si do të duhet të dëshmohet pashtetësia e fëmijës.
  • Të miturit e braktisur fitojnë shtetësinë shqiptare automatikisht me ligj dhe nuk ka kufizim moshe.
  • Shtetësia shqiptare nuk mund të hiqet nëse kjo gjë shpie në pashtetësi.
  • Një fëmijë i birësuar nga prindër të huaj humbet shtetësinë e tij shqiptare, por vetëm pasi të fitojë shtetësinë e një prindi të huaj.
  • Një fëmijë i birësuar nga shtetas shqiptarë fiton shtetësinë automatikisht pas adoptimit dhe është i mbrojtur nga pashtetësia.
  • Të gjithë fëmijët e lindur nga të paktën një prind shqiptar fitojnë automatikisht shtetësinë shqiptare.
  • Nuk ka kushte diskriminuese në lidhje me lindjen brenda ose jashtë martese, as me një burrë apo grua, por bashkëjetesat e së njëjtës gjini nuk njihen ligjërisht në Shqipëri, kështu që është e paqartë se çfarë të drejtash do të kenë prindërit e të njëjtës gjini për t’i dhënë shtetësinë një fëmije.
  • Ligji thotë se fëmija ka të drejtën të regjistrohet falas, menjëherë pas lindjes dhe të marrë shtetësi, dhe se të gjithë fëmijët e lindur në një mjedis shëndetësor ose diku tjetër duhet të dokumentohen. Nëse lindja si fakt nuk ka qenë e vërtetuar nga nëpunësi i duhur zyrtar dhe nga ndonjë raport i hartuar mjekësor, atëherë duhet të dëshmohet përmes gjykatës.
  • Shtetësia e fëmijës përcaktohet dhe shënohet me regjistrimin e lindjes. Nëse prindërit janë shtetas shqiptarë, shtetësia e tyre konfirmohet në regjistrin elektronik të të gjithë shtetasve dhe i jepet automatikisht fëmijës. Nëse prindërit janë shtetas të huaj me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri, verifikohet vendbanimi i tyre dhe fëmijës i jepet ose shtetësia shqiptare ose shtetësia e prindit / prindërve sipas dëshirës së tyre. Nëse prindi / prindërit nuk disponojnë dokumente, janë refugjatë dhe banojnë pa një status ligjor në Shqipëri ose janë pa shtetësi, fëmija do të regjistrohet në bazë të deklaratës së prindit / prindërve. Kjo nuk është e rregulluar në ligj, por zbatohen rregulla të përgjithshme, dhe kjo vërtetohet nga praktika e deritanishme.
  • Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që rregullon përcaktimin e shtetësisë pas regjistrimit të lindjes, por zbatohen rregulla të përgjithshme në lidhje me korrigjimin e gabimeve në Regjistrin Kombëtar.
  • Në realitet fëmijët përballen me vështirësi nëse prindërit nuk disponojnë dokumente ose kanë parregullsi në dokumentacionin e tyre, veçanërisht ata që kanë lindur jashtë nga prindër shqiptarë me dokumentacion të parregullt. Ka raporte të besueshme që sugjerojnë se disa fëmijë përballen me pengesa në regjistrimin e lindjeve, veçanërisht në mesin e komuniteteve rome dhe egjiptiane, edhe pse janë bërë ndryshime kohët e fundit në ligj në përpjekje për t'iu përgjigjur kësaj çështjeje.
  • Nuk ka ndonjë dispozitë specifike në fuqi që u kërkon autoriteteve shëndetësore ose të regjistrit të gjendjes civile të ndajnë informacionin me autoritetet e imigracionit, por gjithashtu nuk ndalohet që kjo të ndodhë në ligj ose në realitet.
  • Regjistrimi i vonuar është i mundur me ligj dhe në realitet dhe regjistrimi i hershëm brenda afatit prej 60 ditësh stimulohet (përmes kompensimit monetar). Lindjet e paregjistruara shënohen në njësinë e mbrojtjes së fëmijëve për regjistrim të detyrueshëm ex officio. Nuk ka kërkesa të nevojshme shtesë.
  • Shoqëria civile e mbështetur nga organizatat ndërkombëtare ka bërë fushatë për përmirësime në regjistrimin e lindjeve, dhe agjencitë qeveritare kanë qenë përgjithësisht të gatshme për këtë.
  • Ndryshimet e fundit u bënë në ligjin për gjendjen civile për të adresuar çështjet që kanë dalë në pah gjatë regjistrimit të lindjeve.
  • Komunitetet rome në Shqipëri preken në mënyrë disproporcionale nga rreziku i pashtetësisë - raportet kanë rekomanduar ndryshime dhe Qeveria ka adresuar shumë prej tyre në ndryshimet e fundit ligjore.
  • Qeveria shqiptare bëri disa premtime në Segmentin e Nivelit të Lartë të UNHCR-së për Pashtetësinë në Tetor 2019 për të adresuar boshllëqet e mbetura në kornizën ligjore, përfshirë ndryshimin e ligjit të shtetësisë, zbatimin e ndryshimeve të gjendjes civile dhe prezantimin e një PPP.
  • Ndryshimet e përfshira në ligjin e shtetësisë në vitin 2020 përmirësojnë masat mbrojtëse për evitimin e pashtetësisë tek ata fëmijë të lindur në territorin në fjalë.
  • Ekzistojnë dispozita për heqjen dhe lënien e shtetësisë që mund të çojnë në pashtetësi në disa raste.
  • Një vendim për dhënien e shtetësisë mund të revokohet nëse është fituar me mashtrim, edhe në rast se kjo çon deri në pashtetësi. Ekziston mbrojtje për fëmijët në evitimin e pashtetësisë, por jo për të rriturit.
  • Dispozitat e reja për heqjen e shtetësisë për motive të sigurisë kombëtare u prezantuan në vitin 2020, të cilat janë me natyrë diskriminuese pasi ato zbatohen vetëm për shqiptarët e natyralizuar. Sidoqoftë, këto dispozita nuk zbatohen nëse do të çonin në pashtetësi.
  • Autoriteti kompetent që vendos mbi rastet e heqjes së shtetësisë është Presidenti, bazuar në informacionin e siguruar nga zbatimi i ligjit ose pas një dënimi nga gjykata. Ndryshimet e vitit 2020 prezantuan mundësinë e ankimimit ndaj një Dekreti Presidencial mbi heqjen e shtetësisë, por urdhri i heqjes së shtetësisë hyn në fuqi që në momentin kur i komunikohet personit ose publikohet në Gazetën Zyrtare. Nuk është e qartë nëse dispozitat e heqjes së shtetësisë zbatohen në praktikë.
  • Ka mbrojtje të pjesshme në evitimin e pashtetësisë që lind nga heqja dorë vullnetarisht e shtetësisë. Nëse një person ka hequr dorë vullnetarisht nga shtetësia shqiptare për të marrë një tjetër dhe shtetësia e premtuar nuk është fituar brenda një kohe të arsyeshme, atëherë ai rimerr shtetësinë shqiptare, por me disa kushte të caktuara.

Burimet

Biblioteka e burimeve, instrumenteve ligjore, botimeve dhe materialeve të trajnimit për pashtetësinë, që është e lidhur në mënyrë specifike me këtë shtet. Më shumë materiale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe burime nga vendet e tjera, janë në dispozicion në bibliotekën Burimet. Praktika ligjore vendase mund të konsultohet në Bazën e të Dhënave të Çështjeve Ligjore të Pashtetësisë (me përmbledhje të disponueshme në Anglisht).

Ju lutemi vini re se kjo pjesë është aktualisht në zhvillim e sipër, kontrolloni prapë së shpejti për të gjetur burime të mëtejshme.

Latest news on Albania

SDP briefing

New Index Thematic Briefing: Statelessness determination and Protection in Europe

This briefing summarises how countries perform on stateless determination procedures.
15 Sep 2021 / Albania / Austria / Belgium / Bulgaria / Croatia / Cyprus / Czech Republic / France / Germany / Greece / Hungary / Ireland / Italy / Latvia / Malta / Moldova / Netherlands / North Macedonia / Norway / Poland / Portugal / Serbia / Slovenia / Spain / Statelessness determination and status / Switzerland / Ukraine / United Kingdom
Report cover

New INDEX thematic briefing: Deprivation of nationality and the prevention of statelessness in Europe

This briefing summarises how countries perform on deprivation of nationality.
22 Jul 2021 / Albania / Austria / Belgium / Bulgaria / Croatia / Cyprus / Czech Republic / France / Germany / Greece / Hungary / Ireland / Italy / Latvia / Malta / Moldova / Netherlands / North Macedonia / Norway / Poland / Portugal / Prevention and reduction / Serbia / Slovenia / Spain / Switzerland / Ukraine / United Kingdom

Project funded by:Rosa-Luxemburg-Stiftung